HYRJA

Kjo është ndoshta novela i parë që po lexoni në këtë mënyrë. Fillimisht do të gjeni vetëm disa kapituj. Kapitujt e tjerë do të botohen menjëherë  pas shkrimit të tyre. Nuk do të prisni me muaj  përfundimin e novelës. Pra, për të ndjekur  historinë, duhet të  vizitoni këtë faqe rregullisht.

Novela do të pasurohet gjatë rrugës me fragmente e ilustrime të reja. Si dhe do të redaktohet e lekturohet sipas nevojës.

Për lehtësi mund të më ndiqni në Facebook e Twitter, ku herë pas here do të lajmëroj daljen e kapitujve të rinj dhe ndryshime të tjera.

Subjektin dhe përmbajtjen e librit do t'ju lë ta zbuloni vetë gjatë leximit në javët e muajt në vijim.

Të interesuarit që dëshirojnë të kontribuojnë në përkthimin e librit në gjuhë të ndryshme, si dhe me ilustrime, mund të më kontaktojnë nëpërmjet rrjeteve sociale.

1

Pikat e shiut dëgjohen në dritaren e makinës. Zhurmë rrotash që ecin me shpejtësi të njëtrajtshme e monotone mbi rrugën e panjohur, të mbuluar nga vezullimi i shiut të rëndë.

Në makinë pranë meje është ulur vajza ime e ngjitur saj gruaja ime. Në dorë mbaj lehtë e me butësi dorën e vajzës ndërsa shikimi i gruas qëndron drejtuar në sytë e mi. Është një shikim i shqetësuar e i heshtur. Fjalët kanë humbur kuptimin, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Thellë në qenien time më shoqëron një shpresë e pavetëdijshme kokëforte.

Makina ecën me shpejtësi. Shoh erën që përkul fijet e barit dhe pemët e largëta, por nuk e ndiej në fytyrën time. Nuk ja dëgjoj zërin. Shumë heshtje, pranë këtij agimi të vonshëm vjeshte, në këtë rrugë të panjohur filluar një orë më parë, apo ndoshta pa ditur vite më parë.

* * *

Errësira e natës akoma mbulon qiellin me re dhe tokën e rrafshët. Gjumi i trazuar kthjellohet nga zhurma e erës dhe aroma e pikave të para të shiut të lehtë. Dëgjoj në qetësi si frymëmarrja ime dhe pikat e shiut shpejtohen me ritëm e pa ngut. Çohem nga shtrati ngadalë. Me hapa të lehtë i afrohem dritares, hap perden e hy pas saj në dritare. I plogësht nga gjumi, ulem në parket para dritares me perden e lehtë që më mbulon shpinën, qafën e kokën nga pas. Nga lart shoh turbullt barin e shkurtër e të errët. Shoh pemët e reja, të mbjellura rishtazi në skajet e oborrit të rrumbullakuar e pa gardh. Në rrugën e largët në fund të oborrit nuk ka makina. Shiu vazhdon të lagë xhamin e dritares e format në errësirë turbullohen më tej. Qetësi!

* * *

Në makinë nuk ka buzëqeshje. Fytyrat e dy të panjohurve në rreshtin e parë të makinës janë të ngurta. Duket sikur ata nuk kanë nevojë të flasin me njeri-tjetrin. S’ka lëvizje duarsh. Këmbët janë të ngrira. Nuk lëvizin sytë, vetullat e goja. Madje as flokët e as kapela në duar nuk lëvizin.

Drita e murrme e agimit ndriçon qiellin e thellë me re të kaltra. Para nesh ecin me shpejtësi dy makina të njëjta me tonën. Të errëta, të larta e tepër të mëdha nga jashtë, por çuditërisht të vogla nga brenda e me ulëse të forta e jo komode. Pas na ndjekin dhe dy makina të tjera. Makinat ecin me shpejtësi të njëjtë duke ruajtur largësinë mes tyre me përsosmëri.

Papritmas kolona e makinave fillon të kthehet në të djathtë dhe del në një rrugë të ngushtë dyanëshe. Rruga është e rrethuar me gjelbërim të dendur dhe është plotë kthesa të mprehta. Makinat vazhdojnë të ruajnë shpejtësinë e lartë. Ato na largojnë me ngut nga qyteti, shtëpia, miqtë dhe jeta jonë e ndërtuar plot kujdes. Më shumë se çdo herë më parë ndiej afrimin e fundit. Një fund pa kthim. Makinat kalojnë portën e aeroportit të vogël pa hezitim, vazhdojnë mbi pistë me shpejtësi e ndalen në rresht para një aeroplani të vogël të zi, me një rreth të kaltër të vizatuar në bisht.

* * *

Pikat e kthjellëta të shiut në dritare më ngjallin etje. Pa bërë zhurmë nisem drejt kuzhinës, mbush një gotë ujë dhe vazhdoj të eci zbathur në errësirë duke pirë nga pak ujë nëpër shtëpi. Kthehem para dritares e ulem në qetësi. Shiu vazhdon të bjerë lehtë. Pi pak ujë përsëri. Mbi rrugën e lagët, pas kthesës në fund të oborrit, shoh vezullimin e disa dritave të largëta makinash. Ato shuhen shpejt në qetësinë e natës. Diku nga larg më bëhet sikur dëgjoj fërshëllimën e butë të frenave dhe përplasjen e një dere makine. Pamja është e turbullt nga dritaret e lagura. Përsëri qetësi!

* * *

Motorët e ndezur të aeroplanit ushtojnë brenda makinës. Dyert e saj hapen me shpejtësi nga jashtë. Disa fjalë e duar të ngutura na drejtojnë pa durim drejt shkallëve të aeroplanit. Shiu i imët bie në fytyrë. Ndiej erën e freskët në faqet dhe buzët e mia. Në njërën dorë shtrëngoj dorën e vajzës sime e me tjetrën mbaj gruan në përqafim. Një hezitim para shkallëve të ngushta të aeroplanit e pastaj ngjitemi me nxitim. Në lindje shihet një shirit ngjyrash e drite. Hyjmë në aeroplanin e zbrazët e të errët. Disa drita shihen në fund të tij, ndërkohë që dritat e tjera fillojnë të ndizen një e nga një, pa zhurmë e ngadalë.

* * *

2

Vizitoni këtë faqe përsëri pas disa ditësh për të lexuar kapitullin e ri, sapo të botohet.

Për lehtësi mund të më ndiqni në Facebook e Twitter, ku herë pas here do të lajmëroj daljen e kapitujve të rinj dhe ndryshime të tjera.

KOMENTO